Le të themi që në fillim se unë nuk mund të pretendoj t’u vesh rrobën e duhur letraro-artistike këtyre shënimeve të thjeshta. Kjo do të ishte jashtë mundësive dhe forcave të mia, prandaj lexuesi duhet të më falë.
Le të themi që në fillim se unë nuk mund të pretendoj t’u vesh rrobën e duhur letraro-artistike këtyre shënimeve të thjeshta. Kjo do të ishte jashtë mundësive dhe forcave të mia, prandaj lexuesi duhet të më falë.
Ka qenë dëshira ime e përhershme që ta hedh në letër atë mori përshtypjesh që e ruaj qysh nga ditët dhe vitet e luftës mbi përpjekjet që kam bërë për forcimin e shërbimit të ndërlidhjes. Ne u nisëm atëherë nga hiçi. Që në fillim për vetë kushtet konkrete, në të cilat e filluam luftën tonë, u synua që mjetet e ndërlidhjes të ishin të thjeshta në përdorim dhe të kuptueshme. Sinjali në praktik i atyre viteve ka qenë shkrehja e tri pushkëve dhe e një bombe. Kjo nuk ishte diçka e re për shqiptarin. Le të kujtojmë se, shekuj më parë, jepej kushtrimi duke ndezur zjarre të mëdha në vende të larta e të dukshme. Le të sjellim pastaj ndër mend kushtrimin që jepej në malësitë tona, kur grykat i përcillnin njëra-tjetrës atë “Eheeeej” të ngjethshme, që në mos i ngjan aq shumë krismës së pushkës ia kalon asaj me dhjetëra herë për nga dramaciteti. Po le të vijmë prapë te sinjali ynë praktik, i cili me gjithë thjeshtësinë e vet u siguroi partizanëve shumë përparësi në ato vise. Kështu, në fundin e dimrit të vitit 1942, kur forcat e shumta armike u sulën për ta shkatërruar me zjarr e masakra bazën e fortë të lëvizjes, që ndodhej në Mesaplik të rrethit të Vlorës, të gjitha fshatrat, duke filluar që nga Tragjasi, Gjormi, Velça dhe deri në Kuç e Sevaster, u ngritën në këmbë sepse u dha alarmi.